Leja e lindjes: Kushtet dhe si paguhet ajo

Në përgjithësi, leja e lindjes është 365 ditë kalendarike, përfshirë përiudhën minimale prej 35 ditës të lejes së zakonshme para dhe 63 pas lindjes së fëmijës. Kur gruaja shtatzënë ka në shtatezani më shumë se një fëmijë, periudha e parë bëhet 60 ditë duke e bërë lejen e lindjes 390 ditë në total. Pas periudhës 63 ditore pas lindjes gruaja vendos nëse do të kthehet në punë apo të përfitojë nga sigurimet shoqërore. Në rastin kur gruaja shtatzënë vendos të rikthehet në punë pas përiudhës 63 ditore të pas lindjes, ajo mund të zgjedhë ndërmjet dy opsioneve gjatë kohës që fëmija nuk ka mbushur moshën 1 vjeç:

  1. leje të paguar prej dy orësh gjatë orarit normal të punës
  2. kohëzgjatje të reduktuar të punës, për dy orësh, me të njëjtën pagë sikur të kishte punuar me kohë të plotë
Leja e lindjes

Kushtet për të përfituar me pagesë lejen e lindjes janë dy: para fillimit të lejes së paralindjes, gruaja duhet të ketë punuar e siguruar në sektor shtetëror, privat ose e vetëpunësuar në bujqësi, në vendin tonë, 12 muaj kalendarike me ose pa ndërprerje në një ose disa qendra pune. Gjatë shtatzanisë të ketë punuar të paktën një javë. Mbas mbarimit të lejes së parë të lindjes, për të përfituar me pagesë lejen e dytë të lindjes duhet të kesh përsëri 12 muaj punë të siguruar, me përjashtim të rasteve kur shtatzania e dytë ka filluar gjatë periudhës që gruaja ishte me lejen e lindjes të fëmijës së parë, dhe kështu vazhdon për fëmijën e tretë e me radhë.

Kepi shpjegon se nëse nëna lind pa e konsumuar të gjithë lejen e paralindjes, ditët e mbetura nuk i shtohen lejes së paslindjes. Kur nëna lind mbasi e ka konsumuar lejen e paralindjes ditët e lejes shtesë nuk paguhen. Ditët e lejes së paralindjes dhe 150 ditë pas lindjes paguhen me 80 për qind të pagës mesatare mujore të vitit kaluar, ndërsa nga dita 151 deri në përfundim të lejes së lindjes me 50 për qind të pagës bruto mbi të cilën janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore vitin e kaluar deri në kufirin maksimal të pagës mujore 87.700 lekë.

Pra, nënat që e fillojnë lejen e lindjes këtë vit, pagesat do të llogariten mbi pagën mesatare që ka marrë vitin 2011. Në rastet kur vitin e kaluar ka punuar pak muaj për muajt e tjerë që s’ka punuar llogaritet sikur është paguar me pagë minimale dhe pastaj nxirret paga mesatare mujore mbi të cilën bëhet pagesa e raporteve mjekësore.

Raportet mjekësore në të gjitha rastet paguhen kur paraqiten në qendrën e punës brenda 365 ditëve kalendarike. Në rastet kur raportet mjekësore humbasin ose bëhen të pavlefshme për tu paguar, nëna duhet të paraqitet në qendrën shëndetësore që i ka lëshuar raportet duke paraqitur një vërtetim nga qendra e punës që raportet mjekësore për atë periudha nuk janë paguar dhe pastaj pajiset me raporte mjekësore “dublikatë”.

Leja e lindjes kushtet përfitimit për të dy prinderit

Çdo grua ose burrë që është i përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore përfiton të ardhura për barrëlindje. Leje lindjeje edhe për burrat do të thotë se të dy prindërit, edhe nëna, edhe babai, kanë të drejtë të përfitojnë lejen e paslindjes. Madje, leja e lindjes për burrat tashmë është një e drejtë e bazuar edhe në ligj për të kontribuar në mirërritjen e fëmijës së tyre. Ky ndryshimi i rëndësishëm në Ligjin e Sigurimeve Shoqërore, është bërë në kuadrin e përafrimit të legjislacionit tonë me atë të vendeve të tjera të BE-së, si dhe do të ndihmojë në rritjen e barazisë gjinore.

Gjithashtu, të dy prindërit mund të alternojnë periudhat e lejes së paslindjes së fëmijës ndërmjet tyre. E ardhura për lejen e lindjes i paguhet një gruaje, lidhur me barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj sigurim shoqëror dhe në kohën e shtatzënisë ka qenë në marrëdhënie pune. Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike. Për gruan që do të ketë në barrë, më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike.

E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është: 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik për periudhën e paralindjes dhe 150 ditë pas lindjes; 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik për periudhën tjetër në vazhdim. Nëna që birëson fëmijën e moshës deri 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtën për leje pas lindje, e cila fillon ditën e birësimit.

Kompensimi

Gruaja e siguruar, që me vendim të Komisionit Mjekësor kompetent ndryshon vendin e punës për arsye shtatzënie, ka të drejtë të përfitojë kompensim të ardhurash për pakësimin që pëson nga ndryshimi i vendit të punës. Ky kompensim i jepet në rast se është derdhur kontribut për një kohë jo me pak se 12 muaj. Shuma e të ardhurave që do të përfitohet për kompensim është e barabartë me diferencën ndërmjet pagesës së vendit të punës të mëparshëm dhe pagës së vendit të punës së re.

Ky kompensim nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik. Kurse shpërblimi për lindje fëmije i paguhet një personi të siguruar, i cili është nëna ose babai i një fëmije që lind, me kusht që njëri prej tyre të ketë kontribuar për një vit para lindjes së fëmijës. Shpërblimi do të bëhet i pagueshëm vetëm një herë dhe nëna do të ketë përparësi në përfitimin e pagesës, në rast se ajo është e siguruar. Shpërblimi për çdo fëmijë të lindur do të jetë një shumë e barabartë me 50 për qind të pagës minimale mujore.

Përfitimet ligjore për nënat me shumë fëmijë

Nënat që kanë lindur 6 e më shumë fëmijë dhe më i vogli është 8 vjeç, përfitojnë pension të plotë pleqërie në moshën 50 vjeçe, kur kanë të siguruara 30 vjet pune gjithsej, pavarësisht se ku kanë punuar. Kur një nënë i afrohet moshës së mësipërme dhe ka lindur 6 fëmijë, por nuk ka 30 vjet pune gjithsej të siguruara, ka të drejtë të bëjë sigurim vullnetar për të shtuar vitet e punës, por me kusht që 30 vjet pune të siguruara të plotësohen para se ajo të bëhet 50 vjeçe. Me gjithë rritjen graduale të moshave të daljes në pension, kushtet për daljen në pension të plotë të nënave me shumë fëmijë nuk kanë ndryshuar, pra mbeten po ato, 30 vjet pune të siguruara dhe mosha 50 vjeçe.

Masa e ndihmës ekonomike për prindërit që lindin trinjakë është 3 mijë lekë në muaj për çdo fëmijë të lindur. Për katërnjakët prindërit marrin 4 mijë lekë në muaj ndihmë ekonomike për çdo fëmijë dhe për pesënjakët prindërit përfitojnë 5 mijë lekë në muaj për çdo fëmijë. Kjo ndihmë ekonomike jepet deri sa fëmijët të mbarojnë arsimin e detyrueshëm, por jo më shumë se mosha 18 vjeç. Ndihma e mësipërme financiare jepet nga komuna, minibashkia ose bashkia ku kanë vendbanimin prindërit e fëmijëve, pavarësisht nga përfitimi i lejes së lindjes e shpërblimit të lindjes që marrin nënat kur janë të siguruara.

Leave a Comment