Dhimbjet e gjirit, çfarë rreziku paraqesin për femren?

Dhimbjet e gjirit janë një dukuri klinike shumë e shpeshtë të cilat mund ti përjetojnë gratë e të gjitha moshave. Në raste shumë më të rralla, dhimbjet e gjirit, mund të takohen edhe tek djemtë, zakonisht gjatë periudhës së pubertetit, si rrjedhojë e ndryshimeve zhvillimore të gjinjve nën efektin e hormoneve seksuale.

Dhimbjet e gjirit

Ky artikull përmban një informacion se çfarë përfaqësojnë dhimbjet e gjoksit, nga se shkaktohen, kur shfaqen, a jane normale, sa të shpeshta janë dhe çfarë rreziku paraqesin për femren.

Cilat janë shkaqet për dhimbjet e gjirit?

Dhimbjet e gjirit mund të shfaqen nga shkaqe të shumta dhe të ndryshme. Në varësi të tyre, dhimbjet e gjirit grupohen në dy kategori kryesore:

  • Dhimbjet e shkaktuara si rrjedhojë e ndryshimeve, fiziologjike, që ndodhin pa pushim në gjirin e gruas, nën ndikimin e faktorëve hormonale.
  • Dhimbjet e shkaktuara si rrjedhoje e gjendjeve patologjike dhe sëmundjeve të ndryshme të gjirit. Dallimi nëse një dhimbje e shfaqur në gji bën pjesë në njërin apo në tjetrin grupim është tepër i rëndësishëm si për mënyrën e trajtimit të saj ashtu dhe për fatin e mëtejshëm të gruas.

Çfarë janë dhe si shpjegohen dhimbjet “fiziologjike” të gjirit?

Gjoksi është një organ me ndryshim të vazhdueshëm. Gjatë gjithë jetës, që nga vitet fëmijërisë e deri në moshën e trete, organizmi i gruas dhe indet e gjirit, kalojnë nëpër disa etapa të njëpasnjëshme zhvillimi siç janë :

  1. Puberteti kur vajzës i fillojnë menstruacionet e para
  2. Periudha e pjekurisë seksuale kur organizmi i saj bëhet i aftë të kryejë normalisht të gjitha funksionet fiziologjike madhore që janë pjesë e pandarë e jetës së një gruaje të rritur siç janë, jeta aktive seksuale, shtatzënia dhe laktacioni (ushqyerja e foshnjës me gji). Menopauza kur gruas gradualisht i ndërpriten mentruacionet dhe ajo humbet aftësinë riprodhuese, domethënë, aftësinë për të mbetur shtatzënë dhe për të lindur fëmijë.

Edhe pse këto cikle madhore ndryshimi, janë procese fiziologjike që ndodhin normalisht tek çdo grua nën efektin e hormoneve seksuale, zakonisht, ato shoqërohen me një varg ndjesish, shqetësimesh, dhe shfaqjesh klinike të ndryshme, herë më të qeta dhe herë më të shprehura. Në mozaikun heterogjen dhe të larmishëm të shenjave dhe simptomave që shoqërojnë proceset fiziologjike, normale të zhvillimit të gjirit, një nga shfaqjet klinike më kryesore dhe më shqetësuese janë pa dyshim, dhimbjet e gjirit.

Të gjitha këto shfaqje klinike lidhen thjesht me ndryshimet hormonale normale që ndodhin në organizmin e gruas dhe nuk paraqesin asnjë rrezik serioz as për jetën dhe as për shëndetin e saj. Rëndësia kryesore e tyre qëndron në faktin se shpesh ato mund të imitojnë simptomatologjinë klinike të sëmundjeve apo patologjive reale të gjirit dhe, për këtë arsye, për diagnostikimin e saktë të tyre shpesh është i nevojshëm këshillimi dhe vizita klinike tek një mjek specialist i sëmundjeve të gjirit .

Sa të shpeshta janë dhimbjet gjirit. Kur dhe ku takohen më tepër

Afërsisht, rreth 75% e femrave, pra, më shumë se dy në çdo tre gra, përjetojnë situata të ndryshme të dhimbjeve të gjoksit në periudha të ndryshme të jetës së tyre. Në përgjithësi, dhimbjet e gjirit janë më shpeshta në gratë që ndodhen akoma në fazën menstruale të jetës së tyre ose afër fillimit të menopauzës. Në gratë që kanë hyrë në periudhen e menopauzës dhimbjet e gjirit takohen më rrallë. Dhimbjet mund të jenë të lokalizuara vetëm në njërin gji ose mund të takohen njëkohësisht në të dy gjinjtë e gruas.

Si klasifikohen dhimbjet e gjirit ?

Shkaqet dhe mekanizmat se si dhimbjet e gjirit lindin, lidhen ngushtë me 3 faktorë klinikë të rëndësishëm:

  1. kohën apo ditët kur ato shfaqen përgjatë ciklit menstrual të gruas
  2. kohëzgjatjen e tyre
  3. faktin nëse shfaqja e dhimbjeve është e rregullt, periodike apo e rastësishme dhe e paparashikuar.

Të dhënat apo treguesit e mësipërm mund të na ndihmojnë shumë si një orientim fillestar për të kuptuar natyrën dhe shkaqet e dhimbjes.Bazuar në këtë princip, të gjitha dhimbjet e gjirit ndahen apo klasifikohen në dy kategori kryesore: dhimbjet ciklike dhe dhimbje jo-ciklike.

Dhimbjet ciklike të gjirit nuk lindin nga shkaqe patologjike. Ato janë shfaqje kalimtare, të përkohëshme, që shkaktohen nga ndryshimet e niveleve hormonale femërore përgjatë ciklit menstrual dhe nuk kanë asnjë pasojë serioze për shëndetin e gruas.
Dhimbjet jo-ciklike gjirit. Në këtë grup përfshihen të gjitha llojet e dhimbjeve që nuk kanë lidhje me ciklin menstrual. Dhimbjet jo- ciklike takohen më rrallë se dhimbjet ciklike dhe mund të takohen si para ashtu dhe pas menopauzës, por, zakonisht, shfaqen më shpesh pas moshës 40 vjeçare.

Shkaqet e dhimbjeve jo-ciklike mund te jenë nga më të ndryshmet dhe në një shumicë rastesh përcaktimi i saktë i prejardhjes së tyre mund të jetë mjaft i vështirë. Ndër shkaqet më të shpeshta mund të jenë infeksionet e gjirit, ndryshimet indore si rrjedhojë e obezitetit ose shtatzënisë, përdorimi i mbajtëseve të papërshtatshme të gjinjve, përdorimi i medikamenteve hormonale si për shembull terapia hormonale zëvendësuese gjatë menopauzës ose pilulat kontraceptive, patologjitë tumorale beninje ose malinje të gjirit, traumat e ndryshme etj. Në disa raste, dhimbjet jo ciklike edhe pse ndjehen në zonën e gjirit, në të vërtetë, e kanë burimin e tyre nga indet jashtë gjirit.

A është kanceri një shkak i shpeshtë i dhimbjeve të gjirit?

Megjithëse frika më e madhe dhe shkaku i parë i mundshëm që i vjen gruas në mendje sa herë që ka dhimbje në gji, është kanceri, për fat të mirë, e vërteta është shumë më e ndryshme. Dhimbja nuk është një shfaqje klinike karakteristike e kancerit të gjirit . Vetëm 1 në çdo 20 raste të kancerit të gjirit, pra rreth 5% e tyre, mund të shoqërohen me dhimbje.

Dhimbja është një shfaqje klinike as e shpeshtë dhe as karakteristike e kancerit të gjirit . Vetëm 1 në çdo 20 raste të kancerit të gjirit, pra rreth 5% e tyre, mund të shoqërohen me dhimbje.
Megjithatë, pavarësisht faktit se kanceri i gjirit, në shumicën dërrmuese të rasteve, nuk shoqërohet me dhimbje, është e këshillueshme që sa herë që një grua ndjen dhimbje shqetësuese të gjirit, të cilat nuk lidhen me ciklin menstrual, domethënë janë dhimbje jo-ciklike, duhet të këshillohet sa më parë me mjekun specialist.

Leave a Comment