Analiza e feçeve (Analiza e mostrës së jashtëqitjeve)

Analiza e feçeve përfaqëson ekzaminimin e mostrës (kampionit) më të fundit të feçeve (materialeve të jashtëqitura) në kushte laboratorike. Ndryshimet në cilësinë e feçeve (pamja, qëndrueshmëria, pesha, aroma) dhe përbërjen e tyre sigurojnë informacion thelbësor mbi praninë e sëmundjeve të aparatit të tretjes.

Çfarë është analiza e feçeve?

Feçet mund të analizohen në veçanti për mikrobe të ndryshme që shkaktojnë sëmundje (bakteret, kërpudhat, parazitët) ose gjakun e padukshëm (testi i gjakut okult në feçe). Një analizë e feçes që vlerëson përmbajtjen e yndyrës, mbetjet e tretjes dhe enzimat ndihmuese të tretjes, mund të zbulojë sëmundje të pankreasit, mëlçisë dhe rrugëve të tëmthit. Testi i gjakut okult në feçe shërben për zbulimin e hershëm të kancerit të zorrës.

Analiza e feçeve është një ekzaminim i fushës së Gastro-Enterologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë për analizën e feçeve?

Analiza e feçeve mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë paraprake.

Çfarë duhet të sqarohet përpara analizës së feçeve?

Nuk është i nevojshëm ndonjë sqarim i veçantë përpara këtij ekzaminimi.

Si realizohet analiza e feçeve?

Mostra e feçeve merret nga vetë pacienti nga jashtëqitjet që eleminon normalisht. Për këtë qëllim, mjeku i jep një kuti mbajtëse sterile për vendosjen e feçeve, e cila përmban një tub për të mbajtur feçen, një lugë dhe një kapak. Feçet nuk duhet të bien në kontakt me urinën ose me ujin e shpëlarjes. Për këtë, gjëja më e mirë është që defekimi (jashtëqitja) të bëhet në një “mbajtës të feçeve”, të cilin e merrni edhe në kabinetin e mjekut. Si një alternativë, mund të vendosni disa shtresa letre higjienike në pjesën e brendshmë (gropën) të ËC-së.

Gjithashtu, mund të vendosni shumë shtresa letre higjienike në të gjithë gropën e ËC-së dhe ta bllokoni atë. Në këtë mënyrë feçet bien në këtë zonë dhe me lugën sterile për feçet mbushet tubi deri në 3/4 e tij, sa më shumë të jetë e mundur, me një mostër të vazhdueshme feçeje. Është e domosdoshme të mos i lëvizni feçet gjatë transportit, për të parandaluar hyrjen e oksigjenit, përndryshe disa lloje bakteresh në feçe nuk do të mbijetonin. Pasi mbyllet me kapak, mbajtësja e feçeve dorëzohet në kabinetin e mjekut ose në laborator, për t’u analizuar më pas në kushte laboratorike.

Kur përdoret analiza e feçeve?

Analiza e feçeve përdoret kryesisht për të diagnostikuar sëmundjet e organeve të tretjes dhe për zbulimin e hershëm të kancerit të zorrës.

Arsyet e shpeshta për analizën e feçeve janë:

  • Testi i gjakut okult në feçe, për zbulimin e gjakut të fshehur (të padukshëm) në feçe: polipet e zorrës, divertikujt e zorrës, kanceri i zorrës.
  • Sëmundjet diarreike të shkaktuara nga bakteret, viruset, kërpudhat ose parazitët, krimbat (cestodes).
  • Inflamacioni i stomakut dhe i zorrëve: zorra e irrituar, sëmundja e Crohn, koliti ulçeroz.
  • Çrregullimet e tretjes, çrregullimet e metabolizmit (dëmtimi i funksionit të pankreasit, çrregullimet e rrjedhjes së tëmthit (ikteri nga pengesa në rrugët e tëmthit), mbetjet ushqimore, përmbajtja e yndyrës.
  • Sëmundjet e mëlçisë, fshikëzës së tëmthit dhe pankreasit.
  • Sëmundjet alergjike: problemet me tretjen, intolerancat ushqimore, sëmundja celiake.
  • Çrregullimet e tretjes: diarrea, kapsllëku, fryrja e barkut, jashtëqitjet jo të rregullta.

A paraqet ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara analiza e feçeve?

Mostra e feçeve merret nga feçet e eleminuara normalisht gjatë jashtëqitjes së fundit. Prandaj ky ekzaminim nuk paraqet asnjë rrezik apo efekt të dëmshëm.

Leave a Comment