Çfarë duhet të dimë mbi vaksinën kundër virusit HPV ?

Çfarë është vaksina kundër virusit HPV?

Vaksina kundër virusit HPV ndihmon që të parandalojë infektimin e personave nga mikrobi i quajtur “Virusi i Papilomes Humane,” ose ndryshe “HPV.”

A ekzistojnë vaksina kundër virusit HPV ?

Aktualisht qarkullojnë 2 lloje vaksinash kundër këtij virusi (Gardasil dhe Cervarix) të cilat ndihmojnë në parandalimin e kancerit e Qafës së Mitrës. Vajzat dhe gratë mund të zgjedhin midis njërës prej këtyre vaksinave. Të dyja këto vaksina realizohen me anë të injeksionit dhe përfshijnë 3 doza të aplikueshme në një afat kohor prej 6 muajsh.

Përse duhet kryer vaksina kundër HPV?

Vaksina kundër HPV ndihmon në parandalimin e infektimit nga virusi HPV. Infektimi nga virusi HPV mund të çojë në kancer cervikal (kancer i qafës së mitrës) tek gratë, ndërkohë që një infeksion i tillë mund të shkaktojë lytha gjenital si tek gratë ashtu edhe te burrat.

Në çfarë moshe është e këshillueshme të kryhet kjo vaksinë?

Shumica e mjekëve rekomandojnë që vajzat të kryejnë këtë vaksinë në moshën 11 – 12 vjeçare. Por kjo nuk përjashton faktin që ato, por edhe meshkujt, mund të kryejnë këtë vaksinë në çdo kohë, duke filluar nga mosha 9 deri 26 vjeç, sepse në këto grup mosha ka edhe efektivitetin më të lartë. Përjashtim bëjnë gratë shtatëzëna të cilat nuk duhet të bëjnë këtë vaksinë.

Vaksina kundër HPV funksionon më mirë kur bëhet përpara se një person të jetë prekur nga virusin HPV. Pra, kjo vaksinë nuk mund të kurojë një person i cili është i/e prekur tashmë nga virusi HPV dhe kjo është edhe arsyeja pse mjekët rekomandojnë bërjen e vaksinës përpara se të keni kryer marrëdhënie seksuale për herë të parë. Nëse ju keni kryer marrëdhënie seksuale, atëherë është mirë të konsultoheni fillimisht me mjekun tuaj me qëllim t’ju rekomandojë se si mund të silleni në vijim, pra nëse është e efektshme apo jo kryerja e vaksinës në rastin tuaj.

Cilat janë efektet anësore të vaksinës HPV?

Vaksina kundër HPV mund të shkaktojë skuqje, enjtje, ose dhembje në vendin ku është kryer injeksioni . Në raste shumë të rralla, mund të shkaktojë edhe gjendje të fikti, por gjithësesi mbetet një fenomen shumë i rrallë dhe i pazakontë. Për të evituar një fenomen të tillë mjeku apo infermjerja që kanë realizuar vaksinën duhet të sigurohen që ju të qëndroni pa lëvizur për disa minuta pasi keni kryer vaksinën (injeksionin).

A funksionon gjithmonë vaksina kundë HPV?

Vaksina HPV ndihmon dhe është shumë e mirë në parandalimin e prekjes me virusin HPV dhe si rrjedhojë të kancerit të qafës së mitrës. Por në disa raste mund të ndodhë që personat e vaksinuar, gjithësesi, të infektohen nga ky virus.

Për sa kohë jam e/i mbrojtur?

Shkencëtarët nuk e dinë saktësisht se sa kohë vaksina mbron kundër infeksionit HPV por hulumtimet klinike tregojnë se ofron mbrojtje për një periudhë të paktën pesë vjet.

Vaksina HPV ndihmon në parandalimin e prekjes nga sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme?

Vaksina HPV nuk parandalon marrjen apo përhapjen e sëmundjeve të tjera seksualisht të transmetueshme. Për të parandaluar infektimin nga këto lloj sëmundjesh, pra seksualisht të transmetueshme, ju duhet të kryeni marrëdhënie seksuale të mbrojtura, pra jini të kujdesshëm dhe përdorni gjithmonë prezervativ.

A duhet të kryej kontrolle për kancer-in e qafës së mitrës edhe nëse kam bërë vaksinën?

Po. Të gjithë gratë, duke përfshirë edhe ato që kanë kryer vaksinën kundër HPV, duhet të kryejnë vizita rutinë, të herëpashershme, për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës. Egzaminimi i cili rekomandohet të kryhet në këto raste është “Pap test” ekzaminim i cili rekomandohet të kryhet duke filluar nga mosha 21 vjeç ose brenda 3 viteve nga hera e parë që keni kryer marrëdhënie seksuale.

Leave a Comment